-
Veritas RS III shkon në prodhim serik
Automjeti ekzotik dhe ultra-sportiv Veritas RS III i cili gjatë vitit të kaluar ka tërhequr vëmendjen e elitës botërore më në fund shkon në prodhim serik.
Megjithatë, “prodhimin serik” duhet kuptuar kushtimisht, sepse bëhet fjalë për vetëm 30 njësi të cilat do ta shohin dritën, e secili prej tyre do të punohet me dorë në fabrikën në Gjermani.
Edhe pse prodhimi ende nuk ka filluar zyrtarisht, pesë njësi tanimë janë shitur, tetë tjerë janë rezervuar, gjersa prodhuesi pret që seria e plotë do të shitet deri në fund të këtij viti.
Mu sikur holandezi Spyker, prodhuesi gjerman Vermot AG fillimisht ishte themeluar si markë për gara, e tani pas plotë pesë dekadave ngadalë po kthehet kah prodhimi i modeleve për rrugë.
Veritas RS III Roadster është kombinim i elementeve futuristike dhe klasike, e ai është unik për faktin se bëhet fjalë për një automjet me dy ulëse tek i cili ulësja e bashkudhëtarit është e mbuluar dhe sipas nevojës mund të hapet.
I krijuar nga karboni ultra i lehtë, Veritas RS III Roadster mban motorin 5.0 litërsh V10 të BMW-së me 507 kuaj fuqi në kombinim me marshin mekanik prej gjashtë shpejtësish apo atë SMG automatik. Arritja e shpejtësisë deri në 100 kilometra në orë nuk zgjat më shumë se 3.2 sekonda, derisa shpejtësia maksimale është 347 kilometra në orë.
Në Vermont prodhojnë tri njësi të Veritas përnjëherë, për prodhimin e tij nevojiten tetë javë, gjersa njësitë e para fillojnë në muajin janar të vitit të ardhshëm.


0 komentet: