-
Studentët ndërtojnë automjete hibride
Studentët duke punuar në perëndim të Filadelfias, Stefon Gonzalez dhe grupi i tij janë të sigurtë se do të fitojnë çmimin prej $10 milionësh për ndërtimin e makinës hibride të parë, super-efiçente ndaj karburantit dhe për prodhimit në masë.
Stefon Gonzalez nuk është një inxhinier, as akademik ose drejtor i ndonjë kompanie prodhuese. Ai është vetem një student 15-vjeçar në gjimnazin West Philadelphia High School dhe pjesë e një grupi nxënësish që shpresojnë të fitojnë çmimin e madh të konkursit prestigjioz ndërkombëtar të krijimit të makinave progresive, Progressive Automotive X Prize.
Nxënësit e shkollës Akademia Automotive dhe e Inxhinierisë Mekanike kanë fituar edhe më parë kompeticione dhe çmime kombëtare për ndërtimin e makinave, që megjithëse nuk ishin plotësisht efiçente në konsumimin e karburantit, ishin të besueshme, të shpejta dhe me stil.
Ata po përpiqen për majën — çmimin Automotive X Prize. Aty kërkohet që konkurruesit të ndërtojnë një makinë që mund të ecë për 100 milje me 1 galon (afërsisht 3.8 litra) benzinë, të mund të prodhohet në sasi prej 10,000 copash, dhe të jetë e sigurtë, e besueshme. Skuadra e tyre West Philly Hybrid X është e vetmja që vjen nga një shkollë e mesme në këtë kompeticion, ku ka rreth 90 konkurrentë nga SHBA dhe jashtë.”E di se do të fitojmë”,- thotë Gonzalez. “Ne kemi fituar kompeticione edhe më parë, dhe kemi përvojën e eksperiencën inxhinierike.”
Në 2002, 2005 dhe 2006, grupi i tyre ka fituar Tour de Sol, një konkurs për prodhimin e makinave hibride ose me bio-karburante, që mund të udhëtojnë të paktën 150 milje (xx km) me energjinë ekuivalente të 100 miljeve për galon. Në provën e tyre të parë, ata mundën 40 skuadra të tjera, duke përfshirë edhe një nga Instituti i Teknologjisë së Massachusetts.
Kësaj here, rivalët e tyre përfshijnë një skuadër nga Cornell University, një aleancë inxhinierësh nga Ottawa dhe Silicon Valley, dhe një grup të drejtuar nga një shpikës, të cilit i akreditohet programi i njohjes së zërit që përdoret në celularët BlackBerry.
Skuadrat do të përgjysmohen deri në 19 tetor – reduktim që skuadra Philly është e sigurt se do ta kalojë. Fituesi final do të vendoset më 2010-ën.
Simon Hauger, drejtor i akademisë që prej krijimit të saj më 1998, tha se ideja se fëmijët e shkollës së mesme nga lagje të varfra të qytetit mund të mundin konkurrentë seriozë, nuk është aq e çuditshme po të mendojmë për aftësitë e adoleshentëve për të menduar në mënyrë të pavarur.”Kur je adoleshent, ti beson se mund të bësh gjithçka”,- tha ai.
Studentët panë modelin e Toyota Prius benzinë/elektrike në konkursin e vitit 2003 dhe morën idenë e ndërtimit të një makine hibride që do të arrinte standardet e reja të efiçencës së karburantit, duke qenë njëkohësisht e shpejtë dhe e bukur.
Dhe rezultati ishte Hybrid Attack, një makinë e ulët sportive e aerodinamike, që mund të shkonte nga zero në 60 milje në orë për katër sekonda dhe që udhëton për 60 milje me një galon bio-karburanti në autostradë.
“Ne nuk e projektuam makinën për të fituar, por për të prishur stereotipin ekzistues të makinës hibride”,- tha Hauger. Por, gjithsesi, makina fitoi duke marrë çmimin më të lartë në konkurrimin e Tour de Sol në 2005-ën dhe 2006-ën.
Prodhimet e konkursit janë zhvillime të ideve fillestare të akademisë, e cila përgatit studentët për mirëmbajtjen e makinave, në mënyrë që ata të mund të punësohen pas shkollës.
10 deri në 15 studentët që formojnë një klasë të zakonshme në akademisë, marrin mësime në funksionet bazë të automobilit për t’i vënë në aplikim më pas në ndërtimin e makinave fituese të kompeticioneve. Studentët duhet të kenë rezultate të mirë në mësime, në mënyrë që të hyjnë dhe të qëndrojnë në program.
Por edhe pa aktivitetet e tyre të teknologjisë së lartë, studentët do të arrijnë të marrin aftësitë të cilat do të bëjnë që ata t’i largohen varfërisë dhe krimit, që zakonisht i rrethon pasi afro 40 për qind e adoleshentëve të qyteteve të Filadelfias nuk arrijnë të mbarojnë shkollën e mesme, tha koordinatori i grupit Ron Preiss.”Kjo është një shkollë tipike e brendshme e qytetit”,- tha Preiss. “Shumica e studentëve tanë marrin drekë falas.”
Chris Millsip, një17-vjeçar në vitin e tretë të akademisë, kërkon të vazhdojë shkollën e lartë teknike në Ohio dhe të mësojë më shumë për ndërtimin e makinave hibride.” Prius-i ynë është i mirë, tha ai. “Por duhet të ecë pak më shpejt.”


0 komentet: